Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Kosovës njofton se lista e arbitërve të TPA është pasuruar me tre emra të rinj me renome nga fusha e arbitrazhit ndërkombëtar.

Stefan M. Kröll, ka shërbyer si arbitër në mbi 60 raste të arbitrazhit ndërkombëtar dhe është njëri nga autorët më të njohur në fushën e arbitrazhit tregtar.

Alexandra Schluep poashtu ka shërbyer si arbitër ndërkombëtar, si dhe ka bërë administrimin e një numri të rasteve në arbitrazh ad hoc. Së fundi, Jacomijn van Haersolte-van Hof, përveç eksperiencës së gjatë akademike ka shërbyer si arbitër në raste të arbitrazhit ndërkombëtar dhe vendor. Të tre këta emra janë pjesë e rëndësishme e qarqeve akademike, dhe autor të dëshmuar.

“Bashkëngjitja e z. Kröll, znj. Schluep dhe znj. van Haersolte-van Hof përfaqëson një arritje të re të TPA si institucion. Gatishmëria e tyre që të shërbejnë në listën e TPA, do të kontribuoj në rritjen e kredibilitetit të TPA, në veçanti në rastet me karakter ndërkombëtar”, tha Ahmet Kasumi, Kryetar i Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit.

Në rastet të cilat duhet të vendosen nga tre arbitër, rregullat e TPA kërkojnë që secila palë në procedurë të zgjedh nga një arbitër nga lista e cila u ofrohet nga institucioni, ndërsa të dy arbitrit e zgjedhur nga palët duhet të pajtohen për arbitrin e tretë, përkatësisht kryesuesin e tribunalit të arbitrazhit.