Luljeta PLAKOLLI-KASUMI
Në vazhdën e reformave ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova, gjithmonë flitet për sektorë si minierat dhe energjia, bujqësia dhe blegtoria, vreshtaria, tekstili, ndërtimtaria dhe sektorë të ngjashëm të cilat njihen si ekonomi tradicionale. Përmes reformave të këtilla, duke rimëkëmbur dhe shfrytëzuar kapacitetet ekzistuese, synohet zhvillimi ekonomik i vendit. Megjithatë, në takimet e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Qeverisë së Kosovës ku ftohen edhe përfaqësues të institucioneve qendrore, asociacione të biznesit dhe përfaqësues ndërkombëtar që përkrahin Qeverinë e Kosovës në reformat ekonomikei, asnjëherë nuk dëgjohet të flitet për industritë kreative.
Industritë kreative janë karakteristikë e epokës së informacionit, dhe janë pjesë e rëndësishme e ekonomisë globale. Çdo ditë e më shumë, qeveritë në mbarë botën janë duke e njohur rolin të cilin industritë kreative e luajnë në krijimin e vendeve të punës dhe mirëqenies ekonomike të vendeve të tyre.
Sipas literaturës, termi ‘industri kreative’ përfshinë një varg të aktiviteteve ekonomike të cilat kanë të bëjnë me eksploatimin e njohurisë dhe informacionitii. Si të tilla ato përbëjnë këto sektor: arkitekturën, shtëpitë botuese, radiot dhe televizionet, dizajnin, muzikën, shërbimet softuerike dhe kompjuterike, lojërat kompjuterike, dizajnuesit e modës, artet performuese etj. Meqenëse këto industri kreative vijnë si rezultat i veprimtarisë intelektuale, ekzistimi i industrive kreative nuk mund të paramendohet pa ekzistimin e të drejtave të autorit. Madje, industritë kreative janë pikërisht ato fusha ku e drejta e autorit gjene aplikim të drejtpërdrejtë.
Sipas Ligjit mbi të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta të Kosovës, e drejta e autorit është e drejtë e posaçme e cila i takon autorit si subjekt i pronës intelektuale mbi veprën e vet. E drejta e autorit përmban: 1) autorizimet ekskluzive personale për të mbrojtur pacenueshmërinë e veprës së autorit dhe personalitetin e autorit, të njohura si të drejta morale; 2)autorizimet ekskluzive ekonomike për të mbrojtur interesat ekonomike të autorit, të njohura si të drejta ekonomike të autorit; dhe 3) autorizimet e tjera të autorit të njohura si të drejta të tjeraiii.
Të drejtat e autorit, me fjalë të tjera,mbrojnë krijimet origjinale që vijnë si rezultat i punës intelektuale të autorit duke i dhënë mundësi atij që ta eksploatoj (shfrytëzojë, publikoj, shpërndajë etj.) veprën e vet dhe të përfitojë ekonomikisht nga ajo vepër, duke e parandaluar çdo shfrytëzim të paautorizuar të asaj vepre nga të tjerët. Ky është një monopol i kufizuar që i jepet autorit të veprës origjinale, në mënyrë që të krijohen stimulime për krijime të veprave të tjera. Përveç se mbron autorin, të drejtat e autorit mundësojnë edhe shpërndarjen, qarkullimin, dhe shfrytëzimin e veprave të autorit, duke krijuar kështu një balancim në mes të interesave të autorit dhe përfitimeve të publikut.
Veprat e autorit janë pikërisht ato që përbëjnë objektin e transaksioneve komerciale te industrive kreative, dhe me anë të ligjit për të drejtat e autorit përcaktohen kushtet nën të cilat këto vepra mund të eksploatohen ekonomikishtiv. Për këtë arsye, të Drejtat e Autorit janë parë si kontribues të drejtëpërdrejtë dhe si burim i fuqishëm i rritjes ekonomike në vende të ndryshme. Sipas Udhërrëfyesit të Organizatës Botërore për Pronësi Intelektuale (WIPO) mbi anketimin e kontributit ekonomik të industrive të bazuara në të drejta të autorit (ku bëjnë pjesë industritë kreative), kontributi i industrive
1
kreative në ekonominë e një vendi duhet të matet në bazë të përqindjes së bruto prodhimit të brendshëm, shkallës së punësimit në industri kreative dhe përqindjës së këtyre industrive ne tregtinë e jashtme. Sipas studimeve të WIPO mbi ndikimin e industrive kreative në ekonomitë e vendeve, bazuar në indikatorët e lartëpërmendur, vendet të cilat kanë pas një zhvillim të hovshëm ekonomik, një pjesë të madhe të këtij zhvillimi ia kanë atribuar industrive kreativev.
Për fat të keq, po të merren parasysh këta indikator tek ne në Kosovë, rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme per dy arsye kryesore. E para është se vetë fusha e të drejtës së autorit është një fushë relativisht e re, e cila është në zhvillim e sipër, dhe ende nuk ekziston një nivel i kënaqshëm i vetëdijesimit as instituticional dhe as publik në lidhje me rëndësinë e saj. Arsyeja e dytë është se si pasojë e mungesës së këtij vetëdijesimi, industritë kreative nuk shihen si pjesë përbërëse e ekonomisë së vendit dhe nuk stimulohen aq sa duhet nga Qeveria. Ashtu siç është parë nga shumë studime të WIPO, industritë kreative në shumë vende luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se sa disa industri tradicionale.vi
Kosova është një vend me një kulturë të pasur, megjithëatë, nuk ka arritë akoma që këtë kulturë ta plasojë jashtë vendit aq sa duhet. Përderisa sukseset individuale në industri kreative nuk po mungojnë, ato ende nuk janë bërë prioritet për ligjvënësit, dhe kjo fushë ende nuk ka marrë rëndësinë e merituar në agjendën e qeverisë. Suksese të këtilla janë prezente shumë shpesh në fushën e filmit dhe muzikës, dhe në sektorin e zhvilluesve të programeve softuerike. Një shembull është edhe suksesi i fundit i një grupi të dizajnerëve dhe programerëve nga Kosova, të njohur me emrin Xiiik, të cilët kanë arritur të bëhen pjesë e garës më të madhe botërore në botë të bizneseve fillestare-Global Startup Battle. Grupi Xiiik nga Kosova në këtë garë ka konkuruar me një lojë tre-dimensionale për paisje mobile që quhet Ali Pasha i Gucisë, kapitulli i tetë i kryeveprës së Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”, dhe përmes kësaj ky grup jo vetëm që ka mundësinë ta fillojë një biznes mjaft profitabil për vete, por edhe të krijojë mundësi punësimi, dhe njëheritë ta bëjë të njohur kulturën tonë në përmasa ndërkombëtare. Ky shembull është treguesi më i mirë se si industritë kreative mund të kontribojnë në zhvillimet ekonomike, sociale dhe kulturore të një vendi.
Roli i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes Zyrës për të Drejta të Autorit është i pazëvendësueshëm në zhvillimin e mëtejmë të legjislacionit në fushën e të drejtave të autorit që do të ofronte mbrojtje për krijuesit, por do të krijonte edhe kushte që publiku të përfitojë nga krijimtaria dhe dobitë që sjellë ajo. Përmes kampanjave të vazhdueshme publike, kjo Zyre mund të ndikojë dukshëm në krijimin e një përceptimi të ri të publikut në lidhje me të drejtat e autorit, dhe po ashtu të ndikojë që industritë kreative të njihen si pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik nga ana e Qeverisë. Edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e Organizatës Botërore për Pronësi Intelektuale, do të ishte e këshillueshme që edhe Kosova ta bënte një hulumtim në bazë të kritereve të përcaktuara nga kjo organizatë, e cila do të shërbente si pikënisje për zhvillimin e kësaj industrie edhe në Kosovë.
Nëntor 2012, Prishtinë (shkrim per Zyren per te Drejtat e Autorit/Ministria e Kultures, Rinise dhe Sportit)